Trajnimi Ndërkombëtar SHINE mbi Angazhimin Qytetar për Punonjësit Rinorë u mbajt me sukses nga 10 deri më 19 mars. Gjithsej 9 punonjës rinorë nga Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina dhe Mali i Zi, si dhe 6 trajnues të BE-së nga Rumania, Gjermania dhe Bullgaria iu bashkuan trajnimit, i cili synonte testimin e mjeteve joformale të hartuara si pjesë e Paketës së Trajnimit SHINE mbi Kompetencat e Shtetësisë dhe rritjen e kapaciteteve të punonjësve rinorë, edukatorëve dhe trajnuesve për të zhvilluar seanca edukative mbi demokracinë, pjesëmarrjen aktive, angazhimin qytetar, edukimin mediatik dhe mendimin kritik me të rinjtë.
Pjesa e parë (teorike) e trajnimit ndërkombëtar u realizua në Timishuarë, Rumani. Në ditën e parë, pjesëmarrësit u njohën me projektin SHINE, qëllimet, afatet dhe aktivitetet e tij. Përmes mjetetve joformale, ata shkëmbyen ide rreth temave si demokracia, shtetësia aktive dhe nivelet e pjesëmarrjes. Punonjësit rinorë hulumtuan vlerat thelbësore të BE-së dhe rolin e tyre për shoqërinë, si dhe projektuan ide fushatash për t’i promovuar ato te të rinjtë. Ata gjithashtu morën pjesë në një aktivitet që prezantoi konceptin e zonave të të mësuarit dhe ndanë shembuj personalë lidhur me pjesëmarrjen e të rinjve dhe ndërtimin e besimit për t’u përfshirë në jetën publike si qytetarë aktivë.
Në ditën e dytë, punonjësit rinorë hulumtuan nivele të ndryshme të pjesëmarrjes së të rinjve përmes shembujve nga jeta reale dhe iu bashkuan një aktiviteti simulues të fokusuar në studime rasti mbi të drejtat e njeriut. Ata gjithashtu eksploruan bazat e debatit dhe diskutuan mbi pohimin kontravers: Populli merr udhëheqësit që meriton.
Dita e tretë nisi me një diskutim mbi përfshirjen dhe barazinë. Punonjësit rinorë duhej të hulumtonin dhe të prezantonin situatën aktuale në vendet e tyre. Ata diskutuan ngjashmëritë dhe dallimet në lidhje me qëndrimet e komunitetit, mbështetjen e qeverisë dhe politikat. Pas diskutimit, atyre iu desh të krijonin një vizion utopik për të ardhmen dhe ta hartonin atë si faqen e parë të një gazete. Në fund të trajnimit, pjesëmarrësit ndoqën një leksion mbi të ardhmen e demokracisë nga autorja e famshme Anne Applebaum, organizuar në Universitetin Perëndimor të Timishuarës.
Pjesa e dytë (përvojore) e Trajnimit Ndërkombëtar u zhvillua në Frankfurt, Gjermani. Në ditën e parë të aktiviteteve, punonjësit rinorë hulumtuan lajmet e fundit lidhur me përfshirjen e grupeve minoritare dhe duhej të përgatitnin një përmbledhje të shkurtër të të dhënave më të rëndësishme përpara grupit. Më vonë, ata iu bashkuan një aktiviteti krijues, ku prezantuan skenarë pozitivë dhe negativë lidhur me përfshirjen e grupeve vulnerabël.
Në ditën e dytë, punonjësit rinorë hartuan projekte me hapa konkretë për të përmbushur idetë e të Ardhmes Utopike, të prezantuara në Rumani. Pasdite, ata eksploruan aktivitetin Lulja e Privilegjit, duke vënë në dukje stilet e jetesës së grupeve të ndryshme (dhe sfidat me të cilat përballen disa prej tyre) lidhur me stereotipet gjinore dhe përjashtimin. Dita e tretë u fokusua te podkasti SHINE dhe përdorimi i podkasteve në punën me rininë.
Pjesa e tretë (praktike) e trajnimit u zhvillua në Sofje, Bullgari. Punonjësit rinorë iu bashkuan një sërë seancash joformale rreth projektimit të fushatave ndërgjegjësuese, votimit elektronik dhe Programit Erasmus+, si dhe testuan lojën Democracy in Play Board Game. Loja përqendrohet rreth idesë së përfshirjes së të rinjve në debat dhe rritjes së mendimit kritik, aftësive ndërpersonale dhe udhëheqëse duke i angazhuar ata me tema të ndryshme jetike për shoqërinë. Në fund të trajnimit, të gjithë punonjësit rinorë u pajisën me një certifikatë Youth Pass.
Projekti SHINE bashkëfinancohet nga Komisioni Evropian në kuadër të Programit Erasmus+.